2020.02.07 Tryezë diskutimi mbi sfidat dhe mundësitë e Buxhetimit me Pjesëmarrje

DISKUTIM MBI SFIDAT DHE MUNDËSITË E BUXHETIMIT ME PJESËMARRJE
Rrjeti i organizatave lokale, Qendra Rinore e Vlorës, Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile në Durrës, Epoka e Re në Fier, Lëvizja Rinore për Demokraci në Pukë dhe Shoqata për Integrimin e Zonave Informale në Kamëz, të mbështetura nga Qëndra Ndërkombëtare Olof Palme me fonde të Suedisë, organizuan sot një event publik mbi “Prezantimin e Praktikave të Mekanizmit të Buxhetimit me Pjesëmarrje në Nivel Vendor”.
Tryeza mblodhi së bashku përfaqësues të organizatave lokale, përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Prefekturat, Bashkitë dhe Këshillat Bashkiakë për të diskutuar në kuadër të nismës “Përmirësimi i Procesit të Buxhetimit të Konsultuar dhe me Pjesëmarrje”, për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të dala nga ky studim.
Buxhetimi me pjesëmarrje është një nga mekanizmat më efektivë të vendimarrjes së konsultuar dhe pjesëmarrja qytetare në këtë proces, bën një orientim më të drejtë të vendimarrjes për shpërndarjen e burimeve financiare publike në nivel vendor.
Vlerёsimi konfirmoi qё përfshirja e qytetarëve në vendimarrje vijon të mbetet një sfidë që duhet kapërcyer. Gjithashtu, vlerësimi evidentoi problematika që lidhen me zbatimin në praktikë të këtij mekanizmi dhe mungesën e procedurave të standardizuara, të cilat e bëjnë atë një proces jo fort të qendrueshëm dhe të pambështetur nga qytetarët. Për ta kthyer buxhetimin me pjesëmarrje në një proces të qendrueshëm e të institucionalizuar, ai duhet tё mirёharmonizojё aktivizimin dhe zёrin qytetar me procese tё standardizuara e seriozitet tё zbatimit tё tij nё tё gjitha hallkat nga autoritetet vendore.
Si rezultat i hulumtimit dhe analizimit të situatës aktuale, është përgatitur një udhëzues praktik për bashkitë dhe këshillat bashkiakë për ta përdorur në punën e tyre për zbatimin e procesit të buxhetimit me pjesëmarrje. Rekomandimet e dala nga ky studim së bashku me udhëzuesin janë ndarë paraprakisht me bashkitë përkatëse dhe autoritetet qendrore. me synim lehtësimin e zbatimit të këtij procesi dhe rritjen e pjesëmarrrjes dhe angazhimit të qytetarëve në qeverisjen vendore.
Roli dhe kontributi i patjetërsueshëm i komuniteteve në proceset qeverisëse, është thelbësor për arritjen e një qeverisjeje sa më demokratike, ndërkohë që bashkitë përmes zbatimit efektiv të ligjit, politikave të duhura e gjithëpërfshirëse sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm, përfshirje dhe kohezion social.


























